Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se i vetmi mospajtim në mes të partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje, është nëse duhet përmbyllur tash çështja e pozitës së presidentit apo pas një viti, shkruan Gazeta Express.
Ai thotë se deri tash nuk ka pasur një pajtueshmëri për një çështje të tillë, sepse në të kundërtën thotë se do të ishte arritur koalicioni.
“Deri tash s’ka pajtueshmëri, sepse me pas pas do të ishte përmbyllur koalicioni. Ne jemi dakorduar që të mos flasim për diskutimet të brendshme dhe modalitetet teknike”, ka thënë Haziri i ftuar në FRONTAL.
Haziri ka thënë se duhet ditur nëse ky koalicion po bëhet për 1 vjet e gjysmë apo për katër, dhe sipas tij nuk mund të arrihet një marrëveshje me një të panjohur të tij.
“Deri vonë kanë qenë negociatat teknike. Nuk mundesh me hy në koalicion me të panjohurën në një periudhë katër vjeçare. Fundja nëse thuhet, nëse thuhet që ky koalicion është vetëm për 1 vjet e gjysmë, atëherë e dimë kohën, por nëse thuhet që është për 4 vjet, atëherë duhet ditur”, ka thënë Haziri.
Kreu i Gjilanit ka thënë se tashmë po diskutohet vetëm nëse duhet të vendoset tani që të zgjidhet problemi për karrigen e presidenti apo të lihet pas një viti e gjysmë, ndërkohë ka shtuar se nuk ka asnjë emër në tavolinë.
“Më shumë po bisedohet se a ka nevojë tash me pas qartësi. Nëse ka nevojë tash, atëherë cili është modaliteti. Ka të bëjë, nëse duhet, dhe cila është formula. Ne mendojmë që zotimi është parimi që duhet me u vendos. Nuk ka asnjë emër deri tash në tavolinë”, ka shtuar tutje Haziri.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit se si mund t’i kërkohet VV’së pozita e presidentit dhe të mos i tregohet emri, Haziri ka thënë se në këtë pikë vjen në pyetje besueshmëria.
“Këtu është parimi i besimit. Kandidati do të jetë në frymë Kushtetuese. DO të jetë përfaqëesues i shumicës, që përfaqëson unitetin e shumicës. Kushtetuta nuk lejon me pas president tjetër. Unë jam për një formulë që në marrëveshje akomodon të dy palët, dhe kur vjen koha palët e harmonizojnë emrin, sepse mundet edhe mos me u harmonizu. Një emër që i jep vendit president dhe që eviton krizën”, ka potencuar tutje ai.
Ndër të tjera, Haziri thotë se të gjitha problemet janë të përballueshme, dhe sipas tij nuk do të duhej që një marrëveshje e tillë të dështojë vetëm për 3 pozitat kryesore.
Ka vështirësi të vogla, janë të përballueshme politikisht. Do të përballohen, dhe marrëveshja mund të pranohet si e tillë, ose të hudhet nga partnerët si e plotë.
“Nuk do të doja të shihja dështimin e një marrëveshje të tillë, për finalizimin e tri pozitave. Tash duhen dy emra, emri i tretë vjen pas 1 viti e gjysmë. Nuk ka nevojë me lshu pe. Palët kanë nevojë të jenë të durueshme”, ka theksuar Haziri./GazetaExpress/