Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka dhënë disa detaje lidhur me planin franko-gjerman që ndërkombëtarët ua kanë dhënë në tavolinë Prishtinës zyrtare dhe Beogradit, për të arritur një marrëveshje mes të dyja vendeve.
Ai duke folur për takimin që e ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, muaj më parë, për të diskutuar këtë çështje, tha se gjysma e dokumentit në faqen e parë ‘i konvenon Kosovës’, kurse për pjesën tjetër duhet të negociohet nga pala jonë.
“Takimin tjetër ne kemi shkuar prapë. Na ka ofruar dokumentin dhe komentin e tij. Nuk mund të themi që është dokumenti i njëjtë, mund të ketë përshkrim, saktësi në një nen apo pjesë të saj. Por edhe në Prishtinë dhe Beograd ka nxjerr pjesë të marrëveshjes, por s’është dokument i njëjtë. Ka elemente”, u shpreh ai në ATV, raporton Paparaci.
“Gjysma e dokumentit në faqen e parë është dokument që neve na konvenon shumë, në gjysmën e dytë duhet me negociu ne. Kjo vlen edhe për Serbinë. Ata thonë që një pjesë e dokumentit është e tmerrshme për ta, pasi përmendet OKB-ja dhe vlerat universale”, shtoi Haziri.
Mes tjerash, ai paralajmëroi se tema e statutit të Ascociacionit nuk është problemi i vetëm, pasi do të shfaqen probleme të tjera gjatë dialogut sikur që është Kisha Ortodokse serbe.
“Ka një pjesë te çështja te pjesa e organizimit të brendshëm. Kërthiza e problemit nuk është statuti i Asociacionit, kanë me dal probleme të tjera, edhe kisha është njëra prej tyre, edhe të zhvendosurit. Ne e kemi zgjedhur këtë problem, edhe të pronave dhe kompensimeve”, u shpreh Haziri.