Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur të martën mbledhja e bordit të drejtorëve, ku është diskutuar lidhur me planifimin e 3-mujorit të ardhshëm dhe për planifikimin në vitin 2020.
“Pjesa më e madhe e investimeve do të vazhdojë në ndërtimin e fshatit model, për përmbylljen e investimeve infrastrukturore. Ndërsa, zona urbane do të jetë prioritet i lartë i investimeve që përfshihet rregullimi i trotuareve dhe standardizimi për personat me nevoja të veçanta, për biçiklistët dhe për nënat me fëmijë. Qëllimi kryesor është që zonën urbane ta kthejmë në zonë qarkullimi pa vetura. Përfundimi i rregullimit të lumit Mirusha, Tregut të Gjelbër dhe punimet te Stadiumi i Qytetit, janë projekte që eliminojnë nevojën e qarkullimit me vetura”, ka thënë kryetari Haziri.
Duke folur për projektet infrastrukturore, kryetari Haziri tha se shumica e tyre tashmë janë të buxhetuara dhe po punohet me dinamikë të shtuar.
“Ndërtimi i rrugëve regjionale tashmë është i buxhetuar, pritet që Banka Europiane për Zhvillim në fund të këtij muaji të konfirojë investimet në rrugën Gjilan-Prishtinë me gjatësi prej 7.2 kilometrash. Do të vazhdojmë investimet në rrugën Gjilan-Bujanoc, në Rrugën e Kumanovës, në rrugën prej Livoçit të Ultë në drejtim të Kllokotit dhe rrugët tjera që janë pjesë e investimeve. Kjo na jep lehtësim dhe krijon fyrmëmarrje që të kalohet në investime brenda zonës urbane”, theksoi Haziri.
Prioritet kryesor për vitin e ardhshëm, i pari i gjilanasve ka thënë se është ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza, i cili tashmë ka marrë rrugë dhe ratifikimi i marrëveshjes pritet të ndodhë në seancat e para të Kuvendit të Republikës.
Gjatë këtij takimi, kryetari Haqziri i falënderoj qytetarët për mbështetjen edhe lojalitetin që kanë treguar përmes pagesave të rregullta në tatimin e pronës dhe taksave komunale.
Haziri ka apeluar qytetarët që të vazhdojnë ta kursejnë maksimalisht ujin e pijshëm, në mënyrë që të përballohet më lehtë thatësia, për shkak se Penda e Përlepnicës është në gjendje të rëndë.
Kryetari i Gjilanit tha se prioritet vazhdon të jetë mbështetja për kartelën sociale, përkatësisht në ndërtim të shtëpive të reja, pako për studentët dhe ata të ekselencës, sikurse edhe pako për familjen.
ShareSave