Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në mbledhjen e nesërme të Qeverisë, do të miratojnë projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.
Me këtë rast ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deklaroi se nga rritja e pagës minimale do të përfitojë rreth 100 mijë qytetarë.
Ministri Murati u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të rrisin pagat në sektorin privat.
“Ftoj punëdhënësit për rritje të pagave të tyre, pasi nga ana e Qeverisë po ofrohet një mbështetje shtesë e në anën tjetër do të ishte mirë që edhe nga sektori privat të rriten pagat e tyre.Edhe për sektorin publik do të ketë mbështetje të tillë.
Bëj thirrje që marrë parasysh rritjen ekonomike që kishim vitin e kaluar dhe atë që presim të kemi këtë vit, bëj thirrje që të ndihmoni edhe ju qytetarët duke blere dhe më shumë produkte vendore sepse kështu ata punësojnë qytetarë. Lus gjithë qytetarët, pensionerët, studentët e familjarët të kërkojnë kuponin fiskal. Mos të paguajnë pa kupon fiskal, sepse në këtë mënyrë ne mbledhim të ardhurat si shtet, e këto të mbledhura i kthejmë tek qytetarët në një formë apo tjetër.Pra duhet kërkuar kuponi fiskal sa herë që bëni blerje” ka thënë ministri Murati./indeksonline/