Presidenti Hashim Thaçi, i cili fillimisht kishte kundërshtuar ashpër taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, tashmë i është vërsulur diplomatëve ndërkombëtarë me arsyetimin se po lobojnë tek institucionet e Kosovës që ta largojnë taksën në këmbim të heqjes së vizave. Por përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se nuk duhet negociuar taksa për liberalizimin, pasi ky pazar ia humb kuptimin taksës, e cila i është vënë Serbisë dhe jo BE-së.
Gjersa ka shpërfaqur në publik dyshimin se po tentohet të bëhet një këmbim taksë – viza, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se një gjë e tillë paraqet fyerje për Republikën e Kosovës.
“Bredhja turistike e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës, nga një zyrë në zyrën tjetër të institucioneve vendore, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë në këmbim të liberalizimit të vizave është fyerje e radhës për institucionet dhe për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar i pari i shtetit.
Ky reagim i Thaçit ka ardhur pak orë pasi kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt.
Të pyetur nëse nga ndërkombëtarët është kërkuar një këmbim i tillë taksë – viza, nga zyra e kryeministrit nuk kanë kthyer përgjigje.
Por deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se lidhur me këto dy çështje vlejnë deklarimet e deritanishme të kryeministrit. Haradinaj ka theksuar disa herë tashmë se taksa nuk hiqet pa pasur garanci për njohje nga Serbia. Ndërkohë pas Samitit të Berlinit shefi i ekzekutivit ka thënë se ka marrë
“Po”-në e Gjermanisë për vizat dhe se këtë vit do të ndodhë liberalizimi.
“Sa i përket taksës vlen ajo që është thënë nga kryeministri, njohje – heqje e taksës. Kurse sa i përket liberalizimit pas kthimit nga Berlini kryeministri është deklaruar ngase ka marrë konfirmim prej njerëzve kompetentë që nuk kanë folur përpara. Jam e sigurt se kësaj radhe konfirmimet i ka marrë prej njerëzve të thirrur”, ka deklaruar ajo