Nuk duhet të kemi frikë që gjërat t’i themi hapur, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve, edhe Evropën. Është e vështirë ta pranojnë, bile ka mundësi edhe të irritohen deri në ekstrem nëse themi se Bashkimi Evropian me vetëdije po e ruan tharmin e urrejtjes ndërmjet popujve në Ballkanin Perëndimor, sidomos urrejtjes ndërmjet popullit të Kosovës dhe të Serbisë.
Shkruan: Ardian Azemi
Për dikë nënë, e për dikë njerkë, kjo është paraqitja e BE-së karshi dy shteteve. Me këtë sjellje, me ose pa qëllim, BE po krijon terren të përshtatshëm për përshkallëzim të urrejtjes edhe tek brezat e rinj.
Sjellje kjo e cila garanton paqartësi, kundërshti, mospajtim, luftë diplomatike të paktën edhe për 20 vitet e ardhshme. Po bëhen njëzet vjet që Serbia e pengon Kosovën në çdo aspekt. Diplomacia serbe me mendësi të shekullit të kaluar, i ka vë bllokadë Kosovës në çdo menakizëm të rëndësishëm në botë. Nuk përfillë marrëveshjen për lëvizje të lirë të mallrave dhe njerëzve, shkaku i kësaj mendësie Kosova ende vuan nga bllokada ajrore që ky shtet i ka vendos, ndërsa Bashkimi Evropian nuk është në gjendje ta thotë qoftë një fjalë të vetme, qoftë edhe një vërejtje duke buzëqeshë. Jo, sepse sillet si nënë ndaj saj.
Disa herë radhazi Kosova ka dështuar të bëhet anëtare e organizatës më të madhe në botë për siguri, në Interpol. Jo që nuk i ka plotësuar kushtet Kosova, por lobimi i poshtër serb dhe ndikimi i saj në disa shtete kryesisht të vogla, ka bërë që sot e asaj dite të jemi të refuzuar nga ky mekanizëm i sigurisë. Imagjinoni çfarë roli do të luante Kosova duke qenë pjesë e kësaj organizate. Mirëpo, frika ishte diku tjetër; Serbia vazhdon ti ruaj me fanatizëm ata që kanë bërë krime në Kosovë, madje sot i ke në majat e hierarkisë së shtetit në Serbia. Pra, frika nga ndjekja e tyre!
Sikur ishim marrë vesh që mos t’i nxjerrnim pengesa ndaj njëra-tjetrës në anëtarësim në këto mekanizma ndërkombëtar. Jam shumë i bindur që BE e ka përcjell mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në kohën kur është votua për Kosovën.
Festimi me Shampanjë i delegacionit serb, për mendimin tim ishte një mesazh i qartë për BE-n se Serbia nuk është e interesuar të prodhoj zgjidhje në raport me Kosovën. Çka tha Bashkimi Evropian..? Asgjë!
Kur Kosova iu përgjigj me të njëjtën gjuhë duke i vendosur taksën prej 100% produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, BE ishte shumë e shpejt në reagim. Kërkojmë menjëherë të hiqet taksa..!
Domethënë, këtu del në sipërfaqe roli i njerkës. Serbia mund të veproj si të dojë, të mos respektoj asnjë marrëveshje, të pengoj Kosovën në çdo pikëpamje në arenën ndërkombëtare, anipse jemi marrë vesh ndryshe, dhe BE të konsideroj se nuk kemi shkelje. Vet heshtja është pajtim, apo jo?!
Kosovës i keni vënë kushte, shumë normale sepse çdo vend që aspiron të bëhet pjesë e një familje shtetesh, duhet me u përgatit të jetë pjesë, domethënë të plotësoj kushtet. I keni nxjerr kushte të reja, kushte të cilat në asnjë vend tjetër nuk janë vendos, edhe ato i kemi plotësuar.
Na keni ftua në dialog, për kinse normalizimin e marrëdhënieve dhe afrimin e dy shteteve me BE-n, njëra palë ecë përpara, ndërsa Kosovës nuk i hiqet as regjimi i vizave. Unë e di që ju e kuptoni se kjo është padrejtësi, porse nuk e pranoni sepse jeni të njëanshëm.
Njëanshmëria dhe trajtimi jo i barabartë i shteteve, ka me na rikthye mbrapa, dhe përgjegjës jeni ju. Evropa duhet të sillet ndryshe me shtetet që ende nuk janë pjesë e saj. Nëse mendohet të krijohet një e ardhme e qëndrueshme dhe e përbashkët, atëherë duhet të veprohet tani, që sot. Nesër bëhet vonë, aq vonë saqë vështirë të riparohen dëmet e shkaktuara nga vonesat e qëllimshme ose pa qëllim.
Të ledhatoni njërën palë, e t’i hidheni sipër palës tjetër, kjo nuk është as politikë, as strategji, madje as zgjidhje. Përderisa nuk ka trajtim të barabartë të shteteve, unë nuk e kuptoj pse duhet të ketë dialog, dhe pse duhet të presim zgjidhje nga një dialog përveç i imponuar, edhe pa një epilog që prodhon zgjidhje dhe stabilitet në këtë pjesë të Ballkanit.
Për një gjë të jeni të sigurt; sado që keni mendua ta vononi zgjidhjen, integrimin dhe barazinë në këtë kontekst, nuk ekziston mundësia që Kosova të pësoj humbje qoftë territoriale apo njerëzore.
Populli i Kosovës nuk është po i njëjti i kohës kur letrat i kanë dërgua tek imami i fshatit me ua lexua. Kosova sot ka njerëz që maten me më të diturit e botës. Në fakt, letrat po i lexojmë vet!