Interesimi i shtuar i punonjësve shëndetësorë për t’u imunizuar kundër koronavirusit me dozat e vaksinës së Pfizer/BioNTech dhe hezitimi i tyre për vaksinim me vaksinat e AstraZenecas, dërgon mesazh negative te popullata, thonë drejtues të shoqatave që mbrojnë mjekët dhe pacientët.
Kosova në fund të muajit mars, kishte pranuar 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, si donacion përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat u shpenzuar në fund të muajit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhe, sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë vaksinuar rreth 5,000 punonjës shëndetësor nga 15,000 sa llogariten në sektorin publik dhe privat. Deri më tash nuk është shënuar asnjë rast që ka pasur ndonjë efekt anësor nga kjo vaksinë.
Kurse, nga dita e mërkurë, më 5 maj, kur në Kosovë rinisi fushata e imunizimit me vaksinën Pfizer/BioNTech, është vërejtur një interesim më i madh nga stafi shëndetësor për vaksinim. Vaksinimi ka filluar pas arritjes së 4,680 dozave, që janë donacion nga Bashkimi Evropian.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, për tre ditë janë vaksinuar mbi 2,000 punonjës shëndetësorë.
Syla: Stafi shëndetësor nuk duhet të zgjedhë llojin e vaksinës
Blerim Syla nga Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë, thotë se procesi i vaksinimit të stafit shëndetësor është dashur të përfundojë me vaksinën e AstraZenecas dhe sipas tij, punonjësit shëndetësorë nuk duhet të përzgjedhin llojin e vaksinës që marrin.
“Disa nga kolegët kanë rënë në gracën e teorive konspirative dhe luftën në mes kompanive të mëdha të prodhimit të vaksinave si AstraZeneca, Pfizer/BioNTech, Moderna apo Johnson & Johnson, për përparësinë që kanë. Kjo ka qenë një ndër arsyet që dikush ka hezituar të marrë (vaksinën). Ky nuk është shembull i mirë për popullatën. Unë kam qenë ithtar i asaj që punonjësit shëndetësorë të gjithë të vaksinohen me kohë dhe jo të zgjedhin llojin e vaksinës sepse është pjesa tjetër e popullatës, e cila pret më padurim të vaksinohet me cilëndo vaksinë”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar se dozat e vaksinës, në fazën e dytë të planit të imunizimit, do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët, për arsye shëndetësore, nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë.