Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, është shprehur i dekurajuar me dështimin e takimit trepalësh në Bruksel.
Në një intervistë për “Blici”, diplomati amerikan nuk ka hezituar të përdorur edhe gjuhë kërcënuese ndaj palëve që nuk e respektojnë procesin e dialogut.
Kur është pyetur për qasjen e Perëndimit ndaj Kosovës, ai ka thënë kur nuk funksionon dialogu, përdoren metoda të tjera.
Sipas diplomatit amerikan, metodat e tjera janë gjithmonë më të këqija.
“Është e qartë që ka qenë një vit i vështirë për dialogun, dhe në një mënyrë ka qenë e vështirë sepse kur nuk funksionon dialogu, përdoren metoda të tjera, dhe metodat e tjera janë gjithmonë më të këqija. Kështu që nuk ka dyshim që ka shumë shqetësime për këtë, por sërish, derisa dikush të vijë me një ide më të mirë, unë nuk kam dëgjuar ide më të mirë se dialogu, dhe mendoj që duhet të mbështet më fuqishëm. Shpresoj që kjo të jetë ajo që shohim në javët dhe muajt në vazhdim”, ka thënë diplomati.
Diplomati amerikan ka vlerësuar se Serbia ishte e gatshme për takimin trepalësh.
“Jemi pak të dekurajuar aktualisht. Ne me të vërtetë përkrahim dhe vazhdojmë ta përkrahim procesin e BE-së dhe dialogun e Brukselit. Ne mendojmë që kjo është mënyra e duhur, në fakt mënyra e vetme. Mendoj që duhet të ketë një përpjekje të vërtetë për të bërë progress, sepse, e dini, ka shumë muaj që nuk po ndodhë shumë. Kështu që, mendoj se kemi disa problem me këtë. Jam i kënaqur që pala serbe ishte e gatshme të bisedojë. Është e rëndësishme”, ka thënë ai.