Është hequr nga rendi i ditës në seancën e sotme pika për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Këtë e ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje, ku shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Ajo ka thënë se këtë kërkesë e kanë bërë për arsye procedurale derisa ka kërkuar që ajo të caktohet për një seancë tjetër.
“Kjo sepse komisioni funksional e ka edhe një procedurë që duhet ta zbatojë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Kjo pikë do të caktohet në një seancë tjetër”, ka thënë ajo.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka akuzuar për korrupsion Qeverinë duke thënë se vetë e ka emëruar bordin që tash po kërkon ta shkarkojë.
“Kur keni ardhur në qeverisje keni thënë që do të ketë zero korrupsion. Tash një bord qe vetë e keni emëruar po dëshironi ta shkarkoni për korrupsion. Keni skandale të korrupsionit më shumë se secila qeveri e kaluar”.
/GazetaSinjali/