Kombëtarja e Kosovës ka arritur një fitore të madhe ndaj Sllovenisë si mysafire, duke siguruar një vend në “play-offin” e Botërorit, për herë të parë në histori.
“Dardanët” fituan 2-0 në “Stozice Stadion”, shkruan “Gazeta Express”.
Të besuarit e Franco Fodës dominuan gjatë tërë ndeshjes, teksa e gjetën golin e epërsisë në minutat e hershme të ndeshjes.
Ishte Fisnik Asllani që shënoi në minutën e shtatë të ndeshjes, pas një kontrolli të bukur të topit dhe një goditjeje precizë në këndin e djathtë të portierit, Jan Oblak.
Pjesa e parë i takoi e tëra Kosovës, e cila pati edhe disa raste të tjera të mira shënimi, por pa sukses.
Në pjesën e dytë, te Sllovenia hyri Petar Stojanovic si zëvendësues, i cili në minutën e 47-të mori kartonin e parë të verdhë të ndeshjes, teksa në minutën e 53-të u ndëshkua me të dytin të verdhë dhe u përjashtua nga ndeshja.
Dhjetë minuta më vonë, Kosova e dyfishoi epërsinë me anë të autogolit të Zan Karnicnik.
Deri në fund, Sllovenia nuk rrezikoi më, ndërsa Kosova i humbi edhe disa raste të mira shënimi, por që rezultati më nuk u ndryshua.
Me këtë fitore, Kosova ka tashmë dhjetë pikë të tubuara pas pesë ndeshjeve, teksa e siguron “play-offin” e Botërorit, për herë të parë në histori.
Vendi i parë, megjithatë i përket Zvicrës, e cila pas fitores ndaj Suedisë ka 13-të pikë.
Ndeshja e fundit e Kosovës në këto kualifikime do të luhet më 18 nëntor në “Fadil Vokrri” ndaj Zvicrës, gjersa përshkak të golaverazhit fantastik të “Helvetikëve”, Kosova ka pak gjasa për të zënë vendin e parë./GazetaExpress/










