Kualifikimi i Dritës në turin e parë eliminator të Champions Ligës e çoi në tre numrin e skuadrave shqiptare që do të marrin pjesë në këtë kompeticion.
Gjilanasit arritën të fitonin përballë ekipit nga Gjibraltari, Linkoln Red, çka bëri që ata t’u bashkëngjiteshin në këtë tur edhe dy skuadrave të tjera shqiptare, përkatësisht Kukësit, si dhe Shkëndijës.
I veçantë është fakti se gjilanasit duhet të kalonin më parë një tur paraeliminator përballë një ekipi që në letër nuk ishte shumë i vështirë, por që i shkaktoi jo pak telashe ekipit të Superligës Kosovare, që ka arritur të shpallej kampion në vendin e tij.
Megjithatë, për gjilanasit situata do të jetë e vështirë në turin tjetër, pasi shorti i ka vënë përballë ekipit suedez të Malmos, një skuadër shumë e organizuar dhe me traditë në Europë. Gjithsesi, Drita deri më tani ka siguruar rreth 1 milion e 30 mijë euro të ardhura nga pjesëmarrja në Champions. Kalimi i Dritës ka bërë bujë të madhe dhe urime kanë ardhur edhe nga kundërshtarët.
Ka qenë presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, që ka uruar skuadrën nga Gjilani duke i uruar që të shkojnë sa më tej në këtë kompeticion.
Kujtojmë që Prishtina do të luajë në Europa Ligë. Por, ky kualifikim është historik për ekipe shqiptare që për herë të parë në këtë tur janë tre. Shkëndija e Tetovës do të luajë përballë kampionëve të Uellsit, ekipit The New Saints, ndërsa Kukësi do të luajë përballë ekipit të Valetës.
Nga tri skuadrat shqiptare, Kukësi pritet të ketë kundërshtarin më të lehtë, duke qenë se futbolli në Maltë ende nuk është në nivele shumë të larta. Shkëndija pritet të ketë një përballje delikate me uellsianët edhe për faktin se është një kundërshtar i panjohur.