Takimi i radhës i dialogut Kosovë-Serbi, i planifikuar të mbahet më 28 shtator në Bruksel ende është në pikëpyetje nëse do të ndodh.
Shkak për këtë është raportuar të jetë refuzimi i institucioneve të Prishtinës për të diskutuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
E se kjo temë nuk do të diskutohet në dialog, e konfirmoi sot edhe vetë kryeministri Avdullah Hoti.
Hoti në një konferencë për media tha se çështja e Asociacionit nuk është temë që hapet në dialog, ndërkaq tha se ende nuk e di nëse do të mbahet apo jo takimi në Bruksel.
“Për Asociacionin siç e kam bërë të qartë kjo temë nuk diskutohet sepse është e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj me marrëveshjen tjetër të parimeve të vitit 2015. Nuk është temë që hapet në procesin e dialogut. Nuk e di a do të mbahet takimi i ardhshëm në Bruksel, mbetet të shihet”, ka thënë Hoti.
Kryeministri ka theksuar se janë të vendosur që të qojmë përpara procesin e dialogut sepse sipas tij kjo është interes strategjik i Kosovës, i regjionit, i mbarë Evropës që mbyllet ky proces.
Ai e ka quajtur kompromis të madh pranimin që si Qeveri të hyjnë në procesin e dialogut.
“Besoj që kompromisi më i madh që e kemi bërë ne është të pranojmë të futemi në proces të dialogut. Ky është kompromisi, edhe kompromisi për të arritur një marrëveshje, kanë qenë kompromise për këtë Qeveri edhe ato të tjerat, që janë cilësuar si vendime që kanë penguar këtë proces, ju e dini tarifa 100 për qind, reciprociteti… Vendime që i kemi marrë duke u konsultuar me miqtë ndërkombëtar”, tha Hoti.