Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e Kosovës po bën propagandë kur po flet për zhvillim ekonomik, sepse sipas tij, Raporti i Bankës Botërore ia ka demantuar këtë, shkruan Reporteri.net.
“Zhvillimi ekonomik në Kosovë – Raporti i Bankës Botërore demanton propagandën”, shkroi Hoti derisa ka publikuar disa raste që ai thotë se ia ka demantuar BB.
Ja disa raste nga raporti që demantojnë propagandën e pushtetit:
1. Popullsia në moshë punë është zvogëluar për shkak të migrimit. Rritja e mëtejmë e migrimit do të zvogëlojë më tutje ofertën e punës dhe do të rrisë kostot e punës për biznese. Ndërkaq, pushteti thotë se më shumë njerëz po kthehen në Kosovë se që po largohen.
2. Produkti i Brendshëm Bruto i Kosovës u rrit me 3.1 përqind në 2023 si rezultat i rënies së çmimit të mallrave në tregjet ndërkombëtare, dërgesave nga diaspora dhe rritjes së kreditimit nga banka. Pra, qeveria nuk ka kontribut në këtë rritje që sido që të jetë është shumë e ulët për të siguruar konvergjencë në zhvillim e të ardhura mes Kosovës dhe mesatares së BE-së.
3. Më shumë se gjysma e investimeve të jashtme janë në ndërtimtari. Kjo nuk kontribuon në rritjen e bazës prodhuese në vend.
4. Rritja e statistikave zyrtare të punësimit ka qenë kryesisht rezultat i uljes së informalitetit, e jo i krijimit të vendeve të reja të punës.
Ka edhe shumë çështje të tjera, për të cilat do të flas në ditët në vijim.
Megjithatë, kujtojmë se Banka Botërore ka parashikuar në një raport të enjten rritje ekonomike prej 3.2 për qind këtë vit dhe prej 3.5 për qind në vitin 2025 në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Rritja në vitin 2023 ra në 2.6 për qind nga 3.4 për qind sa ishte më 2022, kryesisht si pasojë e konsumit dhe tregtisë, duke pasqyruar ekonominë e dobët në Bashkim Evropian, i cili është partner i rëndësishëm i tregtisë për Ballkanin Perëndimor.
Në raportin e saj vjetor për Kosovën, Shqipërinë, Bonjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, Banka Botërore e ngriti parashikimin e rritjes për vitin 2024 për 0.2 për qind krahasuar me raportet paraprake, duke u bazuar në optimizmin se rajoni i ka tejkaluar krizat prej pandemisë së COVID-19.