Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka cilësuar si autogol diplomatik deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, sipas së cilës “në Kosovë janë shkatërruar 900 banda kriminale për pesë vjet”.
Në një postim në Facebook, Hoti ka theksuar se deklarata të tilla të papërgjegjshme e dëmtojnë imazhin e Kosovës, duke i ulur kredibilitetin në arenën ndërkombëtare dhe duke e paraqitur atë si një vend të mbushur me krim të organizuar.
Sipas tij, ky është një mesazh i rremë që dëmton statusin e Kosovës në botë dhe e vendos atë në listën e vendeve problematike.
“900 banda kriminale të shkatërruara” nuk është vetëm një statistikë e rreme, por është autogol diplomatik që i bëhet Kosovës. Kjo nuk tregon sukses, por i jep botës mesazhin e rremë se Kosova është e zhytur në krim të organizuar. Deklarata të tilla tragjikomike e ulin kredibilitetin e Kosovës dhe e dëmtojnë imazhin, duke e vendosur në listë me vendet problematike të botës. Kosova ka nevojë për lidership dinjitoz, serioz dhe të përgjegjshëm. Sigurisht se ky i fundit nuk është rasti i vetëm. Dëmi po mbetet, pavarësisht sqarimit, që po e dëshmon mungesën e seriozitetit”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti ka kritikuar gjithashtu presidenten Osmani për mungesë të përqendrimit në detyrat e saj, duke e akuzuar se po shërben për agjendën e partnerit të saj në qeveri, kryeministrit Albin Kurti.
“Kështu ndodh kur tentohet të përdoret çdo medium, në vend e jashtë, për t’i shërbyer partnerit të saj në krye të qeverisë. Detyrë e saj është të merret me ndërprerjen të partneritetit strategjik me SHBA, me sanksionet nga BE, me funksionimin joligjor të qeverisë, me emërimin e kryeprokurorit e raste të tjera. Këto i ka harruar. Fundi po vjen, asnjë rezultat, vetëm shërbim me devotshmëri në agjendën shtetrrënuese të partnerit të saj”, ka përfunduar ai.









