Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se me kënaqësi ka pranuar ftesën e emisarit special të presidentit Trump, për dialog në Uashington, derisa theksoi se përpara kësaj vizite do të zhvillojë bisedime me opozitën dhe forumin e liderëve politikë të partive parlamentare në kuvendin e Kosovës.
Derisa flet për dialogun, Hoti theksoi se ky proces nuk i përket vetëm një qeverie por siç tha ai të gjithë qytetarëve të vendit.
“Sigurisht ne jemi të nderuar që kemi pranua këtë ftesë, do të zhvillojmë diskutimet e nevojshme me të gjithë, në përputhje me qasjen që kemi premtuar, në mënyrë që si shtet të dalim unik në këtë proces të rëndësishëm. Unë do të tentoj të kem komunikim edhe me opozitën përpara se të shkojë në Uashington edhe me forumin e liderëve politik të partive parlamentare në kuvendin e Kosovës, për t’i mbajtur të gjithë të përfshirë sepse ky nuk është proces që i takon vetëm një qeverie por të gjithë qytetarëve të vendit”, tha Hoti.
Kurse sa i përket vizitës së përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak në Prishtinë, i pari i ekzekutivit tha se këtë të fundit do ta presin me protokollin e nevojshëm, për ta njoftuar kështu siç tha ai me qëndrimet e Kosovës karshi dialogut.
“Zoti Lajçak përfaqëson 27 vende të BE-se do ta presim me të gjithë protokollin dhe nderimin e nevojshëm si shtet për të treguar qëndrimet tona karshi dialogut. Për ne edhe BE edhe ShBA janë kyçë edhe gjatë procesit të arritjes së marrëveshjes por në veçanti kur vjen koha e zbatimit të marrëveshjes”, tha Hoti.
Kryeministri Hoti foli edhe për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, për të cilën u shpreh i bindur se do të ndërtohet në përputhje me mundësit buxhetore.
“Do të ndërtohet në përputhje me mundësit tona buxhetore”, tha ai.
Këto komente kryeministri i vendit i bëri në përurimin e segmentit të parë të rrugës që lidhë Deçanin me Plavën, e cila u përurua për nder të 21 vjetorit të çlirimit të Deçanit. /Reporteri.net/