Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare.
Dy prej tyre kanë të bëjnë me marrjen e një kredie për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në rajonin e Mitrovicës në vlerë prej mbi 30 milionë euro, ndërsa e treta marrëveshja për reformimin e ndihmës sociale, e cila u rikthye për miratim pasi u rrëzua muaj më parë në Kuvend..
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se kjo kredi 47 milionëshe ka për qëllim reformimin e skemave sociale.
Mirëpo sërish kritik ndaj kësaj kredie u shpreh, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
“Marrëveshja është e njëjtë, nuk do të rritet asistenca sociale, ne nuk kemi hyrë në kredi asnjëherë për ndihma sociale. Çfarë ministri i Financave je kur kërkon kredi për ndihma sociale”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala kërkoi nga ministri që kreditë e buta mos të ridestinohen në projekte të tjera.
Siç tha ai, ka ndodhur në qeverinë Kurti I, kur kreditë e buta janë ridestinuar në shkollimin e personave të caktuar dhe asambletë kulturore në Dubai.
Krahas këtyre, Komisioni miratoi edhe plotësim-ndryshimet në Projektligjin për themelimin e fondit për garanci kreditore.