Kryeministri Avdullah Hoti, është takuar sot me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee në Paris.
Hoti ka deklaruar se me Macron kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë, dialogun me Serbinë si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Valon Murtezaj, këshilltari për politikë të Jashtme të kryeministrit Hoti, ka thënë se në takimin e sotëm që kryeministri kosovar pati me presidentin e Francës Emmanuel Macron është diskutuar edhe për çështjen e vizave.
“Sa i përket dialogut si temë e vështirë, kryeministri Avdullah Hoti ka qenë shumë i qartë që ne jemi për proces. Nuk është proces i ri – mirë që rifillon, por përfundimi duhet të jetë njohja. Nuk ka kuptim që një dekadë të diskutohet për tabelat e makinave. Nuk duhet të jetë kjo fazë e dialogut që do të merret me gjëra të tilla”.
Murtezaj ka thënë se presidenti francez e ka mirëpritur ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për ta vizituar Kosovën.
Ai është shprehur i bindur se Emmanuel Macron do ta vizitojë Kosovën sapo një gjë e tillë do të jetë e mundur në përputhje me agjendën e tij.