Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka vazhduar kritikat ndaj kryeministrit aktual, Albin Kurti në lidhje kërkesën e ndërkombëtarëve për shtyerjen e vendimit për targa.
Hoti ka kritikuar Kurtin, i cili sot ndodhet për vizitë zyrtare në Estoni, në një seri vizitash që kishte jashtë vendit ditëve të fundit duke thënë meqenëse SHBA-ja iu ndërpreu vizitat ministrave të tij për shkak të gjendjes në veri, kryeministri Kurti për t’i dhënë mesazh Amerikës, rri më shumë jashtë, sesa në Kosovë, shkruan Reporteri.net.
“SHBA-ja iu ndërpreu vizitat ministrave për shkak të gjendjes në vend. Ndërsa, Kryeministri, për t’i dhënë mesazh SHBA-së, rri më shumë jashtë se në Kosovë.
Vendimin për targat nuk e ndryshon sipas kërkesës së SHBA-së, se jemi vend sovran.
Por Drejtorin e Policisë dhe Drejtorin e Operacioneve i dërgon te Shefi i EULEX-it për tu koordinuar për çështje të sigurisë?!”, ka shkruar Hoti.
Nga Zyra e kryeministrit kanë njoftuar se Kurti dje është nisur për vizitë zyrtare në Estoni.
Sipas njoftimit, Kurti në Estoni do të pritet nga homologia e tij, Kaja Kallas.
Kujtojmë se të mërkurën Kryeministri Kurti kreu vizitën e tij në Gjermani. Para saj, ai ka qëndruar për vizitë në Francë e Austri.