Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, lidhur me përfaqësimin e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hoti ka kritikuar gjuhën politike të përdorur nga Simiq, duke e lidhur atë me qëndrimet e Beogradit zyrtar dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Hoti ka theksuar se Lista Serbe nuk mund të konsiderohet përfaqësuese e të gjithë popullit serb dhe se kandidati i komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit duhet të propozohet nga deputetët e komunitetit serb në përputhje me rregullat kushtetuese të Kosovës.
“Duhet të jetë e qartë: Lista Serbe nuk është populli serb”, ka shkruar Hoti.
Ai ka thënë se Kosova është republikë demokratike që garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve, por sipas tij, këto të drejta nuk duhet të përdoren si instrument i politikës së Beogradit brenda institucioneve të Kosovës.
Në fund të reagimit të tij, Hoti ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj deputetit Simiq dhe Listës Serbe.
“Kosova nuk është Serbi. Kuvendi i Kosovës nuk është Beograd”, ka përfunduar Hoti.










