Kryeministri Avdullah Hoti, ka folur edhe një herë për projekt-ligjin për rimëkëmbje ekonomike i cili ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Hotit me këtë projekt-ligj i cili kap shifrën e 470 milionë euro, përfitojnë qytetarët dhe bizneset e goditura nga pandemia COVID-19.
“Në analizën që Ministria e Financave i ka bërë këtij projekt-ligji, që është në pritje për miratim në Kuvendin e Kosovës, rezulton se përfitimet për qytetarë dhe biznese sivjet dhe vitin e ardhshëm janë rreth 470 milionë euro. Ky vlerësim i efekteve ekonomike dhe sociale është nxjerrë duke analizuar secilin nen të projekt-ligjit”, ka shkruar Hoti, duke shtuar se këto mjete, së bashku me fondin prej 365 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike që është pjesë e buxhetit për 2020 tanimë të miratuar, do të lehtësojë dukshëm pasojat e pandemisë për qytetarë dhe biznese.
Ai ka thëë se është tepër me rëndësi që në seancën e parë në sesionin vjeshtor të Kuvendit të miratohet ky projekt-ligj./Zëri