Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka asnjë pikë në marrëveshjen e Uashingtonit, që e cenon integritetin territorial të vendit tonë, teksa shtoi se finalja e dialogut, do të jetë njohja reciproke me Serbinë.
Në një intervistë për RTV Dukagjinin, të parën prej që u nënshkrua marrëveshja, kryeministri, po ashtu ka thënë se nuk ka pasur ndryshim në pikën ku flitet për Ujmanin, teksa përmendi se në cilën pikë kishte ndodhë ndryshimi.
“Nuk ka pas asnjë ndryshim për marrëveshjen. I vetmi ndryshim, ka qenë marrëveshja për Izraelin”, tha Hoti, teksa këtë njohje e cilësoi si të jashtëzakonshme.
Duke folur për mini-shengenin, kryeministri Hoti, që dikur e kishte kundërshtuar, tha se atij i është kërkuar nga Shtëpia e Bardhë, që Kosova të bëhet pjesë e kësaj iniciative.
Ai, ka replikuar edhe me kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmanin, pasi që kjo e fundit akuzoi delegacionin se tjetër gjë premtoi, e tjetër solli, dhe se shkeli Kushtetutën.
“Jo absolutisht. Kushdo që e interpreton është gabim. Ajo e ka plotësisht e ka gabim, siç e ka pas gabim shumë herë”, tha Hoti.