Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë ditës së sotme ka pasur takim me drejtorët komunalë të Inspeksionit, e kjo pas shtimit të rasteve me Covid-19 në ditët e fundit.
Hoti ka thënë se në dy javët e fundit, numri i rasteve është në rritje, por se Kosova ende nuk e ka kaluar pragun prej 50 raste për 100 mijë banorë, që paraqet pragun ku një vend konsiderohet si me rrezikshmëri të lartë sa i përket situatës epidemiologjike.
Kryeministri Hoti nuk ka përjashtuar edhe marrjen e masave ekstreme në 2-3 javët e ardhshme në rast se numri i rasteve vazhdon të rritet, shkruan Reporteri.
“Ekziston rreziku që për 2-3 javë te kemi të njëjtën gjendje që e kanë shumica e vendeve evropiane në rajon. Rreziku është real, pas 2-3 jave mund të detyrohemi të marrim masa ekstreme, andaj jemi mobilizuar që çdokund të ketë respektim të masave”, u shpreh Hoti.
Sipas kryeministrit Hoti në bazë të vlerësimeve që janë bërë, shtimi i rasteve po vjen nga gastronomia dhe institucionet publike. Sipas tij është e papranueshme që bartësit e institucioneve të mos kujdesen për zbatimin e masave.
Hoti po ashtu ka bërë të ditur se janë krijuar grupe punuese të inspektoratit sanitar të cilët në mbështetje të Policisë së Kosovës do të jenë në mbikëqyrje të zbatimit të masave.
“Në dy javët e fundit, numri i rasteve është në rritje. Ende jemi nën nivelin prej 50 raste për 100 mijë banorë që është pragu në grupin e vendeve me rrezikshmëri. Prandaj duhet të kujdesemi ta mirëmbajmë këtë situatë. Sot janë testuar rreth 10 mijë nxënës dhe arsimtarë në shkolla, përqindja e atyre që kanë dalë pozitiv është 5 përqind, që është mjaft e lartë. Rastet që po shtohen, po del se vijnë nga gastronomia dhe institucionet. Është e papranueshme që bartësit e institucioneve të mos kujdesen për respektim të masave. Nuk mund të lejojmë që për shkak të papërgjegjësisë së një personi, biznesi apo institucioni të detyrohemi të marrim masa shtrënguese. Sot i kemi ftu të gjitha inspektoratet dhe jemi dakorduar të bëhen grupe punuese të inspektoratit sanitar dhe në mbështetje të policisë së Kosovës do të jenë në mbikëqyrje të zbatimit të masave. Ne duhet të mësohemi që të jetojmë me këtë pandemi edhe për një kohë”, u shpreh kryeministri Hoti./Reporteri.net