Kryeministri, Avdullah Hoti premtoi sot mbështetje institucionale për Policinë e Kosovës në aspektin e sigurimit të jetës dhe shëndetit të policëve dhe të pensionimit të parakohshëm.
Ai e bëri këtë koment pasi priti në takim policët e plagosur në krye të detyrës, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj, të kthyer nga trajtimi mjekësor jashtë vendit.
Hoti i falënderoi të gjithë policët që janë të përkushtuar në detyrën e tyre teksa tha se përmes këtij takimi përçon mesazhin që do të jetë afër tyre dhe në mbështetje të tyre si Qeveri.
“Sot, i kemi takuar për t’ju treguar që do t’ju qëndrojmë gjithmonë afër, me mundësitë që i ka shteti i Kosovës. Biseduam edhe me ministrin që do të kujdesemi që në mënyrë institucionale t’i rregullojmë njëherë e përgjithmonë këto çështje përmes Ligjit për sigurimin e jetës dhe shëndetit të policëve dhe Ligjit për pensionim të parakohshëm, në mënyrë që policët që lëndohen, që bien në krye të detyrës, familjet e tyre, të mos ndihen të ngarkuara, por atë barrë ta marrë shteti”, theksoi kryeministri Hoti.
“Këta janë heronjtë e kohës moderne, sepse çdo ditë që dalin në rrugë e rrezikojnë jetën e tyre duke tentuar ta ruajnë jetën e zyrtarit shtetëror, sigurinë e institucioneve ose sigurinë e qytetarëve në përgjithësi”, vijoi kryeministri Hoti.
Gjatë takimit, kryeministri Hoti për policët e lënduar ndau mirënjohje, në shenjë respekti për punën dhe përkushtimin e tyre gjatë detyrës zyrtare për ruajtjen e rendit publik./Objektiv/