Kandidati për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti ka prezantuar programin qeverisës të kësaj partie.
Hoti ka premtuar zhvillim ekonomik të vendit me investime 6 miliardë euro në shtatë vitet e ardhshme.
Me këto investime të mëdha, Hoti ka thënë se do ta kthejnë Kosovën në nyje gjeopolitike sa i përket aktivitetit ekonomik.
“Kemi plan të madh të investimeve deri në 6 miliardë euro për 7 vitet e ardhshme dhe pjesë e këtyre investimeve është edhe plani i BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këto investime të mëdha të mbështetura edhe nga partnerët ndërkombëtarë do ta kthejmë Kosovën në nyje gjeopolitike sa i përket aktivitetit ekonomik sepse do të integrohen të gjitha format e infrastrukturës”, u shpreh Hoti ndër të tjera.
Ai po ashtu ka premtuar rritje të pagës minimale në 300 euro dhe heqjen e nivelizimit të pagës minimale sipas moshës, siç është aplikuar deri më tani.
“Do ta rrisim pagën minimale në 300 euro dhe do ta heqim nivelizimin e pagës minimale sipas moshës. Nga vitit 2023 nuk do të ketë pensione që janë më të ulëta sesa paga minimale”, u shpreh Hoti.