Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka konfirmuar se Qeveria që ai drejton është në Qeveri duke shqyrtuar një varg masash.
Ai teksa ka vizituar spitalin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për t’i parë kapacitetet e këtij spitale për trajtimin e rasteve me COVID-19, ka thënë se situata duket se po përkeqësohet dhe se duhet të përgatitemi për të gjitha variantet që i kemi përpara.
“Inspektuam spitalin ushtarak për të parë kapacitetet që FSK-ja do t’i vërë në dispozicion në rast se do të kemi nevojë t’i përdorim. Unë nuk jam njeri ushtarak, po jam impresionu dhe emocionu me disiplinën ushtarake. Do të punojmë së bashku me stafin për të përballuar situatën nëpër të cilën po kalojmë. I falënderova për mbështetjen që e ka dhënë FSK-ja për institucionet tjera që tash po duket se po përkeqësohet dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha variantet që i kemi përpara”, ka thënë kryeministri.
Hoti u është përgjigjur edhe kritikave që i erdhën nga partia me të cilën bashkëqeverisë, AAK lidhur me masat e reja.
“Në Qeveri jemi duke shqyrtuar një varg të masave, tash nga kjo ngjarje do të kemi një konsultim me kabinetin qeveritar. Unë e kam thënë gjithmonë do t’i plotësojmë rekomandimet që na vijnë nga profesionistët në përputhje me situatën. Do të bëjmë konsultime me partnerët dhe akterët tjerë. Po mundohemi edhe me gastronomët t’i harmonizojmë qëndrimet. Fjalën e fundit e japin profesionistët”, ka shtuar ai, derisa ka folur edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.