Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se me datë 1 korrik do të mbahet një takim në mes përfaqësuesve të estradës dhe hotelerisë me Komisionin Ekzekutiv për luftimin dhe monitorimin e COVID-19.
Me këtë paralajmërim, Hoti bën të ditur se ende nuk është lejuar që tubimet e mëdha në ambiente të mbyllura të mbahen.
Ky takim, sipas tij, do të mbahet për të vlerësuar nëse ka kushte që të zhvillohen aktivitete si dasma apo ahengje të ndryshme familjare.
“Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për lejimin e dasmave dhe ahengjeve. Më datën 1 korrik, përfaqësuesit e estradës dhe hotelerisë do të takohen me Komisionin Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj COVID-19 për të vlerësuar nëse ka kushte që të zhvillohen aktivitete të tilla”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Më tutje, kryeministri thotë se të gjitha masat lehtësuese që janë ndërmarrë deri më tani, janë duke u monitoruar nga afër dhe sipas tij po vlerësohen vazhdimisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Komisioni brenda Ministrisë së Shëndetësisë.
Në fund Hoti apeluar drejt qytetareve për kujdes dhe respektim të masave, duke paralajmëruar se nëse nuk tregojmë kujdes dhe përkeqësohet situata, mund të fillojnë masat e reja.
“Kërkohet nga qytetarët që të tregojnë kujdes dhe t’i respektojnë masat. Në të kundërtën, në rast të përkeqësimit të situatës, prioritet mbetet jeta e qytetarit dhe do të fillojmë me aplikim të masave të reja për mbrojtje nga përhapja e virusit”, shkruan Hoti.
Mbrëmë Qeveria e Kosovës mori vendim për rihapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, vendim pas të cilit u diskutua edhe për hapjen e gastronomisë dhe pishinave.
Për këtë çështje, ministri Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, tha se janë në përpilim të një udhëzuesi për hapjen e gastronomisë dhe pishinave, dhe siç parashihet, ky sektor ka mundësi që të fillojë punën nga data 1 korrik sipas udhëzimeve që do të jepen.