Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, thotë se kandidati për kryeministër i LDK-së caktohet nga kjo parti e jo nga studiot apo rrjetet sociale.
Sipas tij, LDK-ja nuk është vetëm parti por edhe shkollë e të menduarit politik.
“Kandidati për Kryeministër i LDK-së caktohen nga LDK-ja, jo nga studiot apo rrjetet sociale. LDK-ja nuk është vetëm parti, por edhe shkollë e të menduarit politik, që e ruan kursin e zhvillimit demokratik dhe euro-integrues të Kosovës”, thotë ai përmes një deklarate.
Ai thotë se LDK-ja i ka mbijetuar kohës së represionit serb, duke organizuar institucionet e Republikës së Kosovës.
“LDK-ja i ka mbijetuar një gare të egër politike në vitet e pasluftës, kur zyrtarët e saj janë vrarë, por e ka ruajtur kursin e zhvillimit demokratik të Kosovës. LDK-ja tash e ka sfidën e radhës, për të mos e lënë shtetin e Kosovës të rrëshqasë drejt autokracisë, izolimit dhe regresit”, thotë tutje ai.
Kryeministri në detyrë thekson se LDK-ja është me vlerë për vendin.
“LDK-ja nuk është perfekte, por është vlerë për Kosovën. Dhe do ta fitojë edhe këtë sfidë, jo për veten e saj, por për Kosovën. Është obligim i LDK-së që gjeneratat e reja të zhvillohen duke u mësuar me tolerancën dhe demokracinë, me vlera njerëzore dhe evropiane, e jo me antivlera, militantizëm, dhunë dhe autokraci, përfundon ai.