Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar takimin e sotëm Kurti – Vuçiq që do të mbahet në Bruksel.
Hoti ka thënë se do t’i kishte kuptuar qeveritarët aktual nëse në bisedat e sotme në Bruksel do të ishte pjesë, marrëveshja finale për njohje reciproke dhe normalizimi midis Kosovës e Serbisë.
Hoti, duke e akuzuar Kurtin, ka thënë se negocimi i statutit të Asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin, shkruan teve1.info
“Sikur bisedat e sotme në Bruksel lidhur me asociacionin të ishin pjesë e “Marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ndoshta do i kisha kuptuar dhe arsyetuar qeveritarët aktual. Por, pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar asociacionin, negocimi i statutit të asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Tutje deputeti i LDK-së, dyshon se ekziston një mundësi të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në marrëveshjen e vitit 2015, ku thuhet se statuti i Asociacionit duhet të marrë pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës para se të miratohet nga Qeveria.