Ambasada amerikane ka publikuar një video-mesazh të ambasadorit të ri të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ku i cili ka treguar angazhimin e tij politik në të kaluarën dhe lidhjet e forta që ka me rrugëtimin e Kosovës për liri dhe pavarësi.
Hovenier në këtë video-mesazh thotë se për pozitën e ambasadorit në Kosovë ka marrë besimin e fortë të presidentit amerikan, Joe Biden, dhe të Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, duke shtuar se do të angazhohet për forcimin e mëtejmë të lidhjeve në mes të Kosovës dhe Amerikës.
Ambasadori amerikan thotë se nuk është një njeri i huaj për Kosovën, pasi përgjatë viteve të dekadave të fundit, bashkë me kolegët e tij, ka përfaqësuar qëndrimin amerikan në mbrojtje të njerëzve të Kosovës, sovranitetit dhe pavarësisë.
Ai ka rikujtuar pjesëmarrjen e tij në procesin e Rambujesë si anëtar i delegacionit amerikan, si dhe kohën kur ka qenë edhe pjesë e ekipit të Kombeve të Bashkuar në ekipin e Marti Ahtisarit kur është negociuar për statusin e Kosovës.