Kryeshefi i Ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, ka reaguar për herë të parë pasi u arrestua si i dyshuar për korrupsion, në kohën sa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.
Mujka i ka cilësuar akuzat ndaj tij si politike, duke s’do të lejojë të shfrytëzohet “për t’u sulmuar e baltosur puna dhe sukseset e Qeverisë në përgjithësi dhe posaqërisht Kryeministrit në veçanti”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Rruga që kemi marrur është e gjatë, tepër e vështirë me shumë sfida u kurthe, por fatmirësisht është evidente se po shihet caku. Shumë vetë do të ndihen të turpëruar por mbi të gjitha edhe të çliruar nga puna e lodhshme e shërbyesit të djallit”, ka shkruar Mujka.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar para dy ditësh se gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit kundër të Mujkës dhe Hysen Muzliukaj, ashtu që ka vendosur, se të njëjtit do të mbrohen në liri.
Mujka e Muzliukaj janë arrestuar pas një operacioni anti-korrupsion dhe bastisjes që kryen Forcat Speciale Policore.
Bastisjet u kryen në dy lokacione pronë e dy të dyshuarve, Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukës, ku në njërin lokacion janë gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, Prokuroria, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.