Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka ngritur akuza ndaj deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, duke kërkuar sqarime për çmimet e barnave dhe kontabilitetin, me theks të veçantë kompaninë Riga Pharm.
Në përgjigje të këtyre deklaratave, Bajrami ka reaguar fuqishëm përmes një postimi në Facebook, ku paralajmëroi se do ta padisë Mihalin për shpifje.
“Zonja Mihali, shihemi në gjykatë,” shkroi Bajrami, duke shtuar se tani është e qartë se kush qëndron pas “shpifjeve dhe fushatave” kundër saj.
Bajrami theksoi se nuk ka asnjë lidhje me Riga Pharm apo me sektorin farmaceutik, dhe se akuzat e bëra nga Mihali janë të pabaza.
“Nuk kam lidhje biznesi me Riga Pharm, nuk kam pasur, nuk më lidh asgjë me sektorin e farmacisë as me çmimet e produkteve farmaceutike, këto janë shpifje dhe vetëm shpifje,” deklaroi ajo.
Bajrami, gjithashtu, akuzoi Mihalin për udhëheqjen e një fushate shpifjesh kundër saj që prej tri vitesh, duke shtuar se tashmë ka vendosur të kërkojë drejtësi në gjykatë.
“Këtë gënjeshtër e flisni që tri vite, por nuk e keni thënë publikisht, andaj edhe s’kisha mundësi të ju padisë më herët.”
Në fund të postimit të saj, Bajrami u shpreh se nuk do të zmbrapset përballë akuzave dhe sfidoi Mihalin të paraqesë prova për çdo pretendim të saj.
“Le të vendosë gjykata mbi pretendimet e saj,” përfundoi deputetja.