Fatos Ramadani, i cili për herë të parë hyri në garën për Asamblenë Komunale të Gjilanit, ka arritur të sigurojë një numër të konsiderueshëm votash dhe të bëhet pjesë e këtij institucioni.
Përmes një statusi publik, Ramadani ka shprehur falënderimet e tij të sinqerta ndaj qytetarëve për besimin e dhënë:
“Të nderuar gjilanas, të dashura shoqe e shokë, jam thellësisht mirënjohës për besimin që mora në këto zgjedhje. Nga tani e tutje, do të jem përfaqësuesi dhe zëri i të gjithë qytetarëve të komunës sonë. Ndihem jashtëzakonisht i privilegjuar dhe me përgjegjësi ndaj jush, dhe punën time për komunitetin do ta kryej me përkushtim dhe seriozitet të lartë. Do të jem i hapur në çdo kohë për secilin qytetar, si për ata që nuk më kanë votuar, ashtu edhe për votuesit e mi. Do të jem adresa juaj për të paraqitur kërkesat tuaja, të cilat do t’i trajtojmë me përpikmëri dhe përgjegjësi maksimale. Nga zemra ju falënderoj dhe ju jam mirënjohës përgjithmonë.”
Rikthimi i Fatos Ramadanit në institucionet komunale pas një gare të parë ka treguar besimin e madh që qytetarët e Gjilanit kanë në të, duke e pozicionuar atë si një nga figurat e reja premtuese të Asamblesë Komunale.