Në shenjë të kontributit të saj e cila hapi rrugëtimin e shumë vajzave shqiptare, sot në Palestrën Sportive “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan në hollet e Palestrës, ku qëndrojnë shumë sportist kulminantë të Komunës së Gjilanit, është vendosur edhe fotografia e basketbollistes Hyrije Fejzullahu-Halimi, në shenjë respekti dhe kujtimit për shumë gjenerata për ta përkujtuar për thyerjen e shumë barrierave të cilat kanë mbretëruar para gjysmë shekulli. Basketbollistja e parë shqiptare jo vetëm në Gjilan e Anamoravë por edhe më gjerë, e cila theu shumë barriera të femrës shqiptare.
Karrierën basketbollistike e kishte filluar që në moshën 11 vjeçare në vitin 1973 si nxënëse e shkollës fillore, ndërsa si 13 vjeçare në vitin 1975 merret seriozisht me lojën në mes koshave, duke mbrojtur ngjyrat e klubit të basketbollit Mlladost (Rinia), duke paralajmëruar se edhe femrat shqiptare din e munden të merren me sport. Talentin e madh që e kishte basketbollistja Hyrije Fejzullahu-Halimi, nuk mbetet pa u vërejtur nga KB Universiteti nga Prishtina dhe në moshën 16 vjeçare në vitin 1978 i bashkëngjitet këtij “gjiganti” basketbollistik nga kryeqyteti, duke na bërë krenarë anembanë ish-Jugosllavisë e më gjerë. Pas vendosjes së fotografisë në mesin e shumë legjendave të sportit të Gjilanit, ish-basketbollistja, Hyrije Fajzullahu-Halimi, theksoi se për të kjo është krenari e veçantë. “Jam shumë e emocionuar dhe e nderuar në këto momente, për mua vendosja e kësaj fotoje në mesin e shumë sportisteve të Gjilanit është krenari e veçantë për mua, kjo është dhurata më e mirë që më ka ndodhur. Ju jam mirënjohëse për tërë jetën për kujdesin e respektin e treguar ndaj meje. Uroj që sa më shumë femra të mirën me sport për të kontribuar për qytetin e shtetin e Kosovës”. Ndërsa, ushtruesi i detyrës në Palestrën Sportive “Bashkim Selishta –Petriti” në Gjilan, Adnan Hoxha, ka bërë të ditur se është krenari ta takojmë ikonën e basketbollit znj.Hyrije. “Është nder e respekt që pas gjysmë shekulli ta rikthejmë ikonën tonë të basketbollit në vendlindje për të dëshmuar se femra shqiptare edhe në ditët më të vështira ka ditur e mundur që ti thyej barrierat dhe të vendos themelet e sportit në këtë vend”. Ish-basketbollistja Hyrije Fejzullahu-Halimi tani e mbi 30 vite jeton në Gjermani e rrethuar me familjen e saj të ngushtë me nipër e mbesa.