Pas dy javësh aktivitete ndërgjegjësuese për Sindromën Down dhe Autizmin, komuna e Gjilanit, ka përmbyllur këtë cikël me një aktivitet të veçantë për Ditën Botërore të Autizmit.
Gjatë kësaj periudhe, komuniteti, institucionet, shkollat dhe familjet u bashkuan për të promovuar përfshirjen dhe mbështetjen për fëmijët me nevoja të veçanta.
Hyseni theksoi se ky është vetëm fillimi i një angazhimi të vazhdueshëm për krijimin e kushteve më të mira dhe një shoqërie më të barabartë për të gjithë.
Statusi i plotë:
Para dy javësh nisëm një cikël aktivitetesh të vazhdueshme për të shënuar Ditën e Sindromës Down, dhe sot, po në të njëjtin vend përmbyllëm këtë periudhë me një aktivitet të veçantë për Ditën Botërore të Autizmit.
Këto aktivitete dyjavore ishin një mundësi për të bashkuar komunitetin, shkollat, familjet dhe institucionet, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të theksuar rëndësinë e përfshirjes dhe mbështetjes për fëmijët me nevoja të veçanta. Ne e dimë që për të krijuar një shoqëri të barabartë, duhen investime dhe angazhim i vazhdueshëm. Angazhimi ynë nuk ndalet këtu.
Do të vazhdojmë të krijojmë kushte më të mira dhe mundësi për çdo fëmijë që ka nevojë për mbështetje, duke e siguruar që të gjithë ata të kenë mundësi për të realizuar potencialin e tyre në një shoqëri që i pranon dhe i respekton.
T’i pranojmë, t’i përkrahim, t’i përfshijmë.