Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nderuar sot patriotin e njohur Pajazit Zymeri me titullin “Nderi i Qytetit”.
Ky vlerësim, siç theksoi Hyseni, është një shenjë mirënjohjeje për jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të Bacës Pajazit, e cila u kushtua plotësisht çështjes kombëtare, nga angazhimi në diasporë deri te pjesëmarrja në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Statusi i plotë:
Sot patëm nderin të vizitojmë patriotin e madh Pajazit Zymeri, të cilin e vlerësuam me titullin “Nderi i Qytetit” – një shenjë mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij të jashtëzakonshme në shërbim të çështjes kombëtare. 🇦🇱
Baca Pajazit, që në vitin 1969 iu bashkua Ballit Kombëtar në Austri, vazhdoi aktivitetin e tij patriotik në Lëvizjen Popullore në diasporë, duke bashkëpunuar me figura të njohura si Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi. Mori pjesë në demonstratat historike të vitit 1981 në Zvicër, u përball me arrestime e tortura, por kurrë nuk u tërhoq nga rruga e lirisë.
Kontributi i tij shtrihet nga ndihma për bashkatdhetarët në mërgim, te mbështetja financiare për fondin “Vendlindja Thërret”, e deri te pjesëmarrja si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 121 gjatë Betejës së Pashtrikut.
Nderim e mirënjohje të përjetshme për veprën e tij patriotike!