Gjilan, 12 qershor 2025 – Me rastin e 26-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që kontribuan në çlirimin e vendit.
Në fjalën e tij përkujtimore, Hyseni vuri theksin mbi rolin vendimtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të aleancës ndërkombëtare, duke i cilësuar si “dy shtylla të fuqishme të lirisë”, që i dhanë fund një epoke të dhunës, represionit dhe shpërnguljeve masive.
“12 qershori është një ndër datat më të shënuara në historinë tonë kombëtare. Në këtë ditë, para 26 vjetësh, forcat e UÇK-së dhe NATO-s bashkërenduan përpjekjet për t’i dhënë fund robërisë dhe për t’i sjellë popullit tonë lirinë e shumëpritur. Ajo aleancë solli shpresën dhe të drejtën për jetë të lirë në atdhe,” u shpreh kryetari Hyseni.
Ai theksoi se kjo ditë nuk duhet të kujtohet vetëm si një datë historike, por si një thirrje për reflektim dhe angazhim të vazhdueshëm ndaj idealeve për të cilat është derdhur gjak.
“Nderimi për dëshmorët, për luftëtarët e lirisë dhe për aleatët tanë ndërkombëtarë është i përjetshëm. Kosova e lirë është një amanet që kërkon përkushtim, drejtësi dhe punë të ndershme për ta çuar përpara,” përfundoi ai.
12 qershori shënon ditën kur, në vitin 1999, trupat e NATO-s hynë në Kosovë, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë vuajtjesh dhe hapur rrugën për ndërtimin e shtetit të pavarur, i cili u shpall më 2008.