Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka reaguar pasi bashkë me deputetin e LVV-së, Luan Aliu dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal në Gjilan, Arianit Sadiku, u ndaluan sot nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.
Ai tha se kanë pritur më shumë se dy orë e krejt më pas është lejuar udhëtimi i tyre.
Megjithatë, shtoi se nuk i është dhënë asnjë arsye për ndaljen në atë pikë kufitare.
“Rrugës për Bujanoc, në ngushëllime për humbjen e vëllaut tek kolegu im, Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, bashkë me deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Luan Aliu dhe Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Arianit Sadiku, u ndaluam nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë”, shkroi ai në Facebook.
“Pas më shumë se 2 orë pritje, na u lejua të vazhdojmë udhëtimin tonë, pa na u dhënë asnjë arsye se pse jemi ndalur në këtë pikë kufitare. Ata të diskriminojnë e të ndalin në kufinjë pa arsye, duke përdorur figura politike e qytetarë për tensionimin edhe më tej të situatës së brishtë që gjendemi tani”, shtoi Hyseni.