Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas reshjeve të fundit të shiut që kanë krijuar vështirësi në disa segmente rrugore.
Hyseni dhe ekipet komunale janë në terren, ndërsa Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim vazhdon monitorimin për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe qarkullimin normal.
Statusi i plotë:
Për shkak të reshjeve dhe situatës së krijuar në disa segmente rrugore, bashkë me ekipet komunale jemi në terren dhe po e përcjellim nga afër gjendjen në gjithë territorin e Gjilanit.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, në koordinim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ka intervenuar në disa pika problematike dhe po vazhdon monitorimin e vazhdueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të qarkullimit.
U bëj thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe, aty ku është e nevojshme, të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në stabilizimin e plotë të situatës.










