Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka deklaruar se, megjithë borxhet e mëdha që kanë rënduar mbi komunën, viti 2025 do të jetë viti i qytetarëve. Sipas tij, qeverisja lokale po punon intensivisht për ta rikthyer dinjitetin e qytetit përmes projekteve konkrete zhvillimore.
“Pavarësisht borxheve që e ngulfatën Gjilanin, 2025-ta do të jetë vit i qytetarëve. Po e rikthejmë dinjitetin me punë e përkushtim,” ka thënë Hyseni.
Ai ka përmendur disa projekte që janë në fazën përfundimtare apo kanë filluar së realizuari. Rruga “Hamdi Kurteshi” është drejt përfundimit dhe do të lehtësojë dukshëm qarkullimin në një zonë të ngarkuar të qytetit. Po ashtu, janë duke u finalizuar punimet në Stacionin e Autobusëve dhe ka nisur ndërtimi i Palestrës së Sporteve, me një vlerë prej 2.7 milionë euro.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është ai në bashkëpunim me Shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, që përfshin një qendër ditore për të moshuarit, bujtinë për studentët dhe një kuzhinë humanitare.
Hyseni njoftoi edhe për dhënien e lejes për shpronësim në projektin madhor të Qarkores së Re, si dhe sigurimin e 20 milionë eurove për Bulevardin e qytetit – një hap drejt modernizimit të Gjilanit.
Ai përmendi gjithashtu edhe përfundimin e afërt të rrugës “Adem Jashari”, duke thënë: “Punët e mira po vazhdojnë dhe Gjilanin po e duam e po e ndërtojmë siç e meriton.”