Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe kandidati për një mandat të ri, Alban Hyseni, është zotuar se do të vazhdojë mbështetjen për bashkatdhetarët përmes aktiviteteve dhe nismave të reja.
Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Hyseni ka theksuar rëndësinë e mërgatës për zhvillimin e komunës dhe ka premtuar themelimin e Zyrës së Mërgatës, e cila do të shërbejë për komunikim më efikas dhe bashkëpunim më të afërt me qytetarët jashtë vendit.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Forumi Ekonomik i Mërgatës do të vazhdojë të jetë një ndër platformat kryesore për tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në komunë.
“Mërgata jonë është pjesë e rëndësishme e shoqërisë së Gjilanit. Zotohemi se do ta vazhdojmë mbështetjen dhe do ta forcojmë lidhjen me mërgatën tonë. Do të krijojmë Zyrën e Mërgatës, për t’i shërbyer më mirë dhe për të qenë më afër çdo qytetari tonë jashtë vendit. Do të vazhdojmë me Forumin Ekonomik të Mërgatës, për të sjellë investime të reja dhe zhvillim ekonomik në Gjilan. Kemi në plan shumë aktivitete dhe nisma të reja për mërgatën tone”, ka deklaruar Hyseni.










