Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin e dytë, Alban Hyseni, ka theksuar se shëndetësia dhe mirëqenia sociale do të vazhdojnë të jenë ndër prioritetet kryesore të qeverisjes së tij.
Ai ka bërë të ditur se projekti i banimit të përballueshëm social do të jetë një nga investimet më të mëdha, që do të sigurojë strehim për shumë familje të qytetit.
Në këtë drejtim, Hyseni ka njoftuar se do të përfundohet objekti i Qendrës së qëndrimit ditor për të moshuar, në bashkëpunim me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, si dhe se do të ndërtohet Qendra e Mjekësisë Familjare me aneksin e Urgjencës.
Gjithashtu, ai ka theksuar se do të vazhdojnë pagesat për lindjet e reja, ndihmat për familjet në nevojë, si dhe ofrimi i barnave falas për qytetarët.
Balotazhi për Komunën e Gjilanit do të mbahet më 9 nëntor, ku Hyseni garon për një mandat të dytë në krye të komunës.










