Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka zhvilluar një takim të hapur me banorët e lagjes “Baja”, në kuadër të takimeve të rregullta me komunitetin lokal. Gjatë këtij takimi, Hyseni ka prezantuar projektet e përfunduara deri më tani në këtë lagje, si dhe ka ofruar detaje për iniciativat që janë në proces ose planifikim.
Hyseni theksoi se bashkëpunimi me komunitetin është thelbësor për një qeverisje të suksesshme dhe të përgjegjshme. Ai u zotua se kërkesat e ngritura do të merren seriozisht dhe do të përfshihen në planifikimet buxhetore të periudhës së ardhshme.
“Jam i përkushtuar që zëri i qytetarëve të jetë udhërrëfyes në vendimmarrje. Projektet që kemi përfunduar në këtë lagje janë vetëm një pjesë e asaj që kemi planifikuar. Bashkë do të vazhdojmë të investojmë aty ku nevojat janë më të mëdha,” u shpreh kryetari Hyseni.
Ky takim përbën pjesë të qasjes së re të Komunës së Gjilanit për një dialog të hapur me qytetarët, duke e kthyer pjesëmarrjen qytetare në bazë të planifikimeve strategjike./Radio Star/