Turneu ndërkombëtar i gjudos, Gjilani Open 2025, këtë vit po mbahet në Kamenicë për shkak të renovimit të palestrës “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan. Megjithatë, ky ndryshim nuk ka ndikuar në shkëlqimin e ngjarjes, e cila ka mbledhur sportistë nga e gjithë Ballkani.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vlerësuar lart pjesëmarrjen e gjerë dhe nivelin e organizimit, duke theksuar rëndësinë e këtij turneu në hartën e sporteve luftarake të rajonit.
“Pjesëmarrja e madhe nga vendet fqinje dëshmon për rolin kyç që Gjilani Open luan në zhvillimin e gjudos në Ballkan. Kamenica na ka mirëpritur me ngrohtësi dhe kushte të shkëlqyera, por shumë shpejt gjudistët do të kthehen në palestrën e tyre të rinovuar në Gjilan,” tha Hyseni në një prononcim për media.
Ai premtoi se palestra “Bashkim Selishta – Petriti” do të kthehet në një hapësirë moderne, të denjë për sportistët e qytetit dhe më gjerë.
Turneu, që tashmë është bërë një ngjarje tradicionale sportive, ka mbledhur këtë vit 180 garues nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Përveç garës së fortë në të gjitha kategoritë, atmosfera sportive dhe fryma e bashkëpunimit kanë qenë elementet që e kanë karakterizuar edicionin e sivjetmë të këtij aktiviteti ndërkombëtar.