Mensur Gashi, djali i Muarrem Gashit që humbi jetën gjatë pelegrinazhit në Mekë, ka rrëfyer se trupin e të atit nuk kanë mundur ta varrosin në Kosovë.
Mensuri tha se varrosja e trupit të të atit në Kosovë ishte e pamundur, pasi sipas tij, ligji i Sheriatit në Arabinë Saudite thotë se një person që vdes në Haxh duhet të varroset atje.
Ai tha se kishte komunikuar me të atin një ditë para se ai të ndërronte jetë dhe sipas Mensurit, shkak i vdekjes së tij mund të ketë qenë vapa e madhe e temperaturat e larta.
“Për ne si familje ka qenë një situatë e rëndë, sepse kemi humbur kryefamiljarin. Ishte nisur për në Haxh për herë të parë. Ishte 63-vjeç. Nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor asnjëherë. Ka humbur jetën në 13 qershor. Ditë e enjte në mëngjes. Deri atë ditë ka qenë mirë me shëndet. Edhe atje ka qenë vapa, i nxehti, por në ditët që kanë qenë të nxehta, ata nuk kanë dalë jashtë. Një ditë para kam komunikuar. Ne kemi pasur komunikim disa herë në ditë, 2-3 herë. Një ditë para ka qenë pak i sëmurë. I kam thënë që e keni ftohje. Nuk kemi diçka zyrtare, por javën e ardhshme kthehen nga Haxhi ata që kanë qenë bashkë dhe presim të mësojmë diçka. Kemi provuar që prindin ta kthenim në Kosovë, ta varrosnim në vendlindje, por kjo është e pamundur, sepse është ligji i Sheriatit atje që thotë se nuk lejohet që një person që vdes në Haxh të kthehet në vendlindje. Ai është varrosur në datën 14 qershor atje. Kemi menduar të shkojmë, por ka qenë e pamundur. Mendojmë të shkojmë më pas”, tha Gashi. /euronews