Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30-ditësh ndaj të pandehurit A.A. që dyshohet për veprën penale të fajdesë.
Ai dyshohet se ka dhënë para me fajde në vlerë prej 132 mijë eurove duke i kërkuar më pas me kamatë prej 30 përqindësh nga viktima E.I..
“Në rrethanat e kryerjes së veprës penale, cilësitë personale të pandehurit, mënyra e vrazhdë e kryerjes së veprës dhe presioni i lartë ndaj viktimës E. I., ka sjellë në gjendje të rëndë shpirtërore dhe psikike. Me këto veprime i pandehuri A. A., dyshohet të ketë kryer veprën penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, është realizuar bastisja në vendbanimin e të pandehurit, me ç‘rast janë konfiskuar si dëshmi para të gatshme 20.300,00 €uro dhe dokumente që ndërlidhen me çështjet inkriminuese”, thuhet në njoftim të gjykatës.
Në njoftim po ashtu theksohet se gjyqtari ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, “pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurit në këtë fazë të procedurës”.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
I caktohet masa e paraburgimit personit i cili dyshohet për fajde
Ndani këtë artikull