23-vjeçares Elza Ujkani, e cila ishte lënduar javë më parë nga rënia e kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës, i është përmirësuar gjendja shëndetësore, duke qenë e vetëdijshme, komunikative dhe e lëvizshme tani.
Kjo gjë është bërë e ditur nga Haxhi Avdyli, deputet i Listës Guxo, i cili edhe e ka vizituar qytetaren mëngjesin e sotëm.
“Lajme të mira për Elza Ujkanin. Lajme të mira nga Neurokirurgjia. Ngjarja tragjike e shembjes së kulmit të Komunës së Prishtinë mbi të renë Elzen, e ka prek çdo qytetarë të Kosovës. Pas qëndrimit në mjekim intensiv dhe pas operacionit gati 4 orë për të evakuuar e ndalur gjakderdhjen intrakraniale, Elza ia doli. Nga dje ajo është transferuar në Klinikën e Neurokirurgjisë për trajtim të mëtutjeshëm”, shkroi Avdyli.
Tutje, ai ka shkruar se ajo është e vetëdijshme, komunikative, e lëvizshme me të gjitha ekstremitetet, përkundër që ka thyerje në parakrah dhe në vertebrën cervikale C7.
“Falë punës dhe profesionalizmit të lartë të kolegëve të mi nga Neurokirurgjia, dr. Faik Qosja si operator, e asistentëve të tij dhe tërë kolegëve tjerë në krye me drejtorin dr. Besnik Elshani të cilët po kujdesen që edhe këtë fazë postoperatore ta kalojë sa më lehtë. Mos ta harrojmë punën e madhe që kanë bërë anesteziologët në Kujdes Intensiv për ta mbajtur në aparate reanimuese pas operimit, pastaj për ta zgjuar dhe rehabilituar pas zgjimit nga koma. Tani Elza ka nevojë për qetësi dhe rehabilitim disaditor deri në transferim në shtëpi”, ka pohuar ai.
23-vjeçarja e lënduar është motra e deputetes Fjolla Ujkani nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.