Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije për një rast të raportuar “lëndim i lehtë trupor”, që është regjistruar në Tërpezë të Vitisë, ku dy persona rrahin një tjetër. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim.
Sipas zëdhënësit Hashani , Policia e Kosovës në stacionin Policor në Viti ka pranuar një informatë se në fshatin Tërpezë, të kësaj komune ka ndodhur një rrahje mes disa personave, ku të involvuar kanë qenë si të dyshuar dy persona. “Dyshohet se viktimës po ashtu shqiptar shtetas i Kosovës ja kanë zënë rrugën me një veturë “Opel Vektra”, me qëllim që viktimën ta detyrojnë të ndalet, pasi që ishte duke drejtuar traktorin e tij, ku me këtë rast e kanë goditur me mjete të forta, gjersa kanë shkaktuar edhe dëme materiale në traktor, ku ju kanë thyer disa xhama të kabinës”, ka thënë Hashani.
Sipas tij ,viktimës i kanë shkaktuar lëndime trupore ku ka kërkuar edhe tretman mjekësor.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj dy të dyshuarve të caktohet masa e ndalimit për 48 orë dhe rasti të procedohet në prokurori .