Familja e Vehid Ibrahimit nga Muçibaba e Gjilanit tash e 8 vjetë jeton në hapësirat e shkollës së këtij fshati. Sa kishin shtëpinë, kishin hallin për të siguruar kafshatën e gojës. E gjatë këtyre viteve, pos kësaj, kanë edhe hallin për një shtëpi.
Mbetën pa shtëpi para 8 vitesh. Flaka e zjarrit ua kishte djegur tërësisht. E vetmja zgjidhje u kishte mbetur që të vendosen përkohësisht në shkollën e fshatit të tyre, me shpresë se një ditë do të bëhen me shtëpi.
“Kishim një shtëpi të thjeshtë e të vogël, por që për ne ishte e pasuri e madhe. Për fatin tonë të keq e mori zjarri dhe mbetën nën qiellin e hapur. Erdhëm këtu në shkollë, sepse s’patëm ku të strehohemi diku tjetër. Dhe mbetëm tash e 8 vite të vështira për mua dhe familjen”, nis rrëfimin Vehidi Ibrahimi, kryefamiljar.
Ai thotë se ka pasur premtime nga institucionet komunale se do të bëhen me një shtëpi, por që deri më tash diç e tillë nuk ka ndodhur.
“Unë dhe familja ime shpresuam se institucionet do të tregohen të ndjeshme ndaj ngjarjës që patëm dhe familjes tonë që mbeti si është më keq. Por mbetëm të zhgënjyer. E tashmë n’a kanë “vdekur”, edhe ato pak shpresa që kishim”, flet me emocione dhe sy të përlotur njeriu kryesor i kësaj familje.
Ibrahimi thotë se kjo familje edhe këtë dimër do e kaloj në klasët e ftohta të kësaj shkolle dhe e izoluar nga jeta normale.
“Gjatë këtyre viteve kaluam si është më keq. Me një të sëmurë tash e 4 vjetë, pa shtëpi, pa punë tash e 20 vjetë. Dhe me e mbajt familjen 5 anënatëshe kështu është tejet vështirë. Po të mos kishim një ndihmë sociale prej 90 eurosh dhe puna që bëjë maleve me dru për të mbijetuar, vaj halli do të ishte për ne”, thekson ai.
Sipas Ibrahimit thuhet se familja e tij është harruar nga institucionet komunale tash e 8 vjetë. Megjithatë, ai shfaq besimin se Zoti do i gëzoj një ditë me një shtëpi në të cilën do të jetonin me dinjitet./GJILANI.INFO