Ibrahimi: Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u funksionalizua në një ambient/zyre e cila i përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme
Arianit Ibrahimi, anëtar i Kuvnedit Komunal të Gjilanit nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), ka bërë me dije se Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u funksionalizua në një ambient/zyre e cila i përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme për punë të dinjitetshme dhe serioze në trajtim të kërkesave, çështjeve që adresohen nga qytetarët me prejardhje nga Lugina e Preshevës.
Ibrahimi, që edhe drejton degën e AKR-së së Gjilanit, ka bërë me dije se Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ndodhet në Sheshin Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, objekti i Komunës së Gjilanit, përballë Hotelit Kristalit.
Ja adresimi i plotë i Ibrahimit drejtuar qytetarëve me prejardhje nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci
***
Të nderuar qytetarë me prejardhje nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci
Bazuar në Marrëveshjen për Bashkëqeverisje të lidhur me datë 06 Janar 2022 në mes Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan dhe
AKR – Dega në Gjilan, ku pjesë e saj ishte që Zyrja për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të udhëhiqet me staf nga AKR në Gjilan, bazuar në kërkesën tonë që kjo zyre mos të vazhdonte më aktivitetin me një sportel në koridor, ku nuk kishte kushte të punës e të pritjes dinjitoze për luginasët e nevojat e tyre, duke pasur parasysh edhe mbështetjen e parezervë të Kryetarit
z.Alban Hyseni, më në fund arritëm qëllimin e dëshiruar që:
TË FUNKSIONALIZOHET ZYRA PËR PRESHEVE, MEDVEGJË DHE BUJANOC në një ambient/zyre e cila i përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme për punë të dinjitetshme dhe serioze në trajtim të kërkesave, çështjeve që adresohen nga qytetarët me prejardhje nga Lugina e Preshevës.
Për opinionin e gjerë ju njoftojmë se tani Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ndodhet në Sheshin Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, objekti i Komunës së Gjilanit, përballë Hotelit Kristalit.
Po ashtu duke e ditur mirë gjendjen se me çfarë vështirësish të përditshme përballen qytetarët me prejardhje nga Lugina e Presheves në të gjitha dimensionet karshi të drejtave të tyre, kemi pasur për qëllim primar që t’ia kthejmë dinjitetin e munguar kësaj zyre, t’ia kthejmë besimin, seriozitetin, si dhe që kjo Zyre të kthehet në shërbim të qytetarëve e jo siç ka qenë për përfitime individuale dhe përtej tyre për agjenda të ndryshme.
Në këtë kuptim në dakordancë të plotë me Kryetarin z. Alban Hyseni, për ta udhëheqë zyrën kemi caktuar një personalitet e para me prejardhje nga Lugina, dhe së dyti me shkathtësi të larta profesionale dhe kualifikim adekuat (i diplomuar si Politolog), të cilit nuk do t’i mungojë angazhimi dhe përkushtimi për t’i shërbyer me nder dhe përgjegjësi luginasve karshi nevojave të tyre bazuar në kompetencat e Zyrës.
Dhe për dallim nga e kaluara, tani përmes zyrës do të krijohen ura të bashkëpunimit me të gjithë akterët politik pa dallim nga Lugina dhe instancat tjera të larta të Republikës së Kosovës të cilat do të jenë në funksion të adresimit dhe zgjidhjes së të gjitha problematikave me të cilat hasen qytetarët nga Lugina.
Lidhur me joseriozitetin e deritanishëm të zyrës që përtej faktit se kjo zyrë “punën” e ka kryer me një sportel ku kanë munguar kushtet bazike për punë, e tregon edhe fakti se me rastin e pranimit të detyrës të zyrtarit tonë z.Aid Berisha, nga paraardhësi i tij z. Jonuz Hasani nuk ka pranuar asnjë dokumentacion apo lëndë që ka administruar kjo Zyre.
Ndërsa nga ana tjetër ne kemi pranuar kërkesa të mëparshme që janë dorëzuar në Zyre për trajtim e të cilat mungojnë përderisa zyrtari paraprak nuk na ka ofruar asnjë dëshmi të tyre. Kjo situatë dëshmon se kjo Zyre për vite të tëra nuk ka kryer asnjë funksion për çka është e thirrur por ka shërbyer vetëm si vend pune pa ndonjë rol dhe përgjegjësi.
Qëllimi jonë është që përmes kësaj Zyre bazuar në kompetencat e saj dhe legjislacionin në fuqi dhe në bashkëpunim me nivelin qendror, luginasve t’iu dalim në ndihmë duke i trajtuar dhe adresuar të gjitha kërkesat dhe çështjet e tyre që dalin si nevojë e problemeve të ndryshme në të gjitha segmentet, siç janë në aspektin e dokumenteve të identitetit dhe shtetësisë, aspektin arsimor (rritjen e kuotës për pranim në universitetet publike të Kosovës, përfshirjen në shpërndarjen e bursave), në aspektin kulturor, rinor, ekonomik, etj.
Po ashtu, duke pasur parasysh problemet e luginasve që i preokupojnë në të gjitha dimensionet jetësore, si asambleist i Kuvendit Komunal në Gjilan do të angazhohem që përmes mekanizmave në Kuvend, të inicojë si propozim që kjo Zyre të marrë formën e organizimit në mënyrë analoge me drejtoritë komunale që si rrjedhojë t’i shtohen kompetencat e veprimtarisë dhe t’i shtohen kapacitetet e resurseve humane, logjistike, dhe financiare.
Kjo për faktin se nevojat e luginasve do të jenë afatgjata dhe në këtë kuptim rrisku i përkujdesjes më të madhe i takon komunës së Gjilanit për faktin se është qendër e Anamoravës dhe si komunë dhe regjion kufizohet fizikisht me tre komunat e Luginës së Preshevës.
Andaj nga ana e Kryetarit z. Alban Hyseni presim që kjo çështje të zë vend të posaqëm në agjendën e tij, dhe njëkohësishtë të jetë zëri i fuqishëm i tyre, dhe të ndërmerr hapa konkret në jetësimin e plotë të këtij projekti për një të ardhme të merituar në shumicën e dimensioneve jetësore që i preokupojnë luginasit, kur e dimë se për momentin janë të diskriminuara thuajse të gjitha të drejtat e tyre.