Nga Izmi Zeka
I – Kosova tani është në një krizë kulturore, politike shkencore e mbi të gjitha krizë të identitetit që në vete bart sindromin e shkatërrimit të vetvetes në planin perspektiv dhe afat gjatë. Kjo dhe tani duket paksa joserioze në raport me rrjedhat dhe definimit e statusit por hiq më pak nuk do të lë pasoja në gjeneratat e ardhshme kjo krizë që mund të quhet shpirtërore. Gjërat që po diskutohen shpeshherë ndoshta pa ndonjë qëllim të keq kanë përfundim jo të nivelit të ruajtjes së vetvetes me një fjalë jo ruajtjes së asaj që i thuhet shpirtërore as edhe tradicionale.
Shekujt kanë ikur por koncepti i ruajtjes së vlerave të mirëfillta edhe kur nuk kishte në përmasa të duhura fuqi intelektuale e patriotike është ruajtur me fanatizmin më të madh. Kujto veç përpjekjet e rilindësve apo edhe të tjerëve që në forma më të ndryshme i paraqitën dhe instaluan frymën e atdhedashurisë, gjuhës, kulturës, artit dhe shkencës. Shikuar nga kjo distancë intelektualët më të mirë dhe shkencëtarët më të devotshëm kanë ikur në vendet tjera me perspektivë. Pse kjo është bërë? Besoj se është e qartë për të gjithë. Intelektualët kanë ikur në vende ku edhe është gjetur rrugë për të shprehur intelektualitetin e tyre pra ngritja dhe aftësimi intelektual është bërë në suaza të krijimit të hapësirës për thithje të njohurive universale por edhe hapësirës për prosperim.
II – Në vitet e 50 nga Britania e Madhe janë larguar me të madhe për në SHBA një numër i konsiderueshëm i njerëzve të shkolluar respektivisht shkencëtarë të profileve të ndryshme. Nga Britanikët kjo u konsiderua si ikje e trurit, si një turp, u shnddrrua në një dukuri që shteti duhej të merrte masa për të parandaluar këtë trend marramendës. Fatkeqësia më e madhe e kësaj ikje u dimensionua në tri drejtime: Drejtimi i parë ishte se një pjesë e konsiderueshme ikën nga vendi i tyre dhe u shndërruan në punëtorë fizikë dhe një pjesë krejt e vogël arriti që të merret me aktivitete intelektuale dhe shkencor dhe drejtimi i tretë se ata nuk ishin në mesin e tyre. Këtë dukuri e vërejt shteti. Filluan të mendojnë shtruar për një qasje më ndryshe ndaj pjesës elite intelektuale dhe shkencore.
III – E përmenda këtë dukuri për të vënë një simetri me Kosovën të cilës pa u vërejtur fare një pjesë e mirë po u ikën rrugëve të Shtetetve të Bashkuara të Amerikës, Francës e vendeve të tjera. E veçanta këtu është se askush nuk merret me këtë çështje dhe nuk i bie ndërmend fare. Në këtë pozitë çfarë jemi ne, vlera e intelektualit të mirëfilltë dhe shkencëtarit është mbet vetëm sa për të thënë sepse vetë mënyra, dizajnimi i politikave institucionale kanë çuar në degradimin e kësaj pjese të shoqërisë. Truri i një shteti kur filloi të ikë atëherë duhet të ndalet dhe të shikohet pse po ndodh kjo. Ne jemi dëshmitarë të krejt kësaj që po ndodh. Edhe truri i sotëm ekzistues në Kosovë është mbetur jashtë frymës “intelektuale” dhe institucionale. Investimi qoftë në këtë kuadër që është i përmasave kombëtare edhe më tej është tejet i vogël për të mos thënë hiç. Kurse investimi në kuadrot e rinj është një investim i mirë por jo i mjaftueshëm dhe jo në konditat e suksesit për më shumë i lidhjeve farefisnore, politike apo materiale. Krejt kjo rrumbullakuar sjell mbylljen e trurin, ikjen e trurit jashtë vendit dhe mbetjen në një gjendje të pakëndshme dhe të padëshirueshme për shoqërinë kosovare.
IV – Pas luftërat i kanë problemet e veta. Por nuk duhet harruar se nuk jemi në kohën e rilindësve as edhe në fundshekullin XX, jemi në shekullin e zhvillimeve të shpejta si në teknologji apo teknika të tjera të kompjuterizimit e në veçanti zhvillimit ekonomik. Pa një sfond të gjerë të trurit siç është quajtur nga Britanezët vështirë se mund të kemi atë çfarë duam. Truri në kuptimin “figurativ” i nevojitet Kosovës më shumë se kurrë andaj vëni gishtin kokës. Humbja do të jetë e madhe për të gjithë.
Truri i nevojitet Kosovës, sot, nesër e pasnesër.